Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e mërkurë, tetor 05, 2005

Bajazit CAHANI:Kush eshte DEMIR RESHITI?...

Demir Reshiti

U lind më 1963 në Bresanë të Sharrit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Sharr dhe Skënderaj, ndërsa studimet e larta për ekonomi i mbaroi në Pejë dhe Prishtinë. Shkruan për të rritur dhe për fëmijë. Aktualisht punon si redaktor në të përditshmën “Epoka e Re” në Prishtinë. Deri më tani ka botuar këto libra:
1.Trung i ndarë (1992), poezi për të rritur, botoi K.L. ”L.Gurakuqi” Sharr;
2.Ofshamë (1995), poezi për të rritur, botoi K.L. “L.Gurakuqi” Sharr
3. Abetaka (1995), poezi për fëmijë, botoi “RILINDJA” Prishtinë; dhe
4. Reshje nën pikëllimë (1996) si koautor, botoi K.L. “L.Gurakuqi” Sharr.
5. Ngutëm ta kapërcej kohën (2000), poezi për të rritur, botoi K. L. “Anton Pashku” Kukës
6. Libri i Mrekullive (2001), poezi për fëmijë, botoi “RILINDJA” Prishtinë
Demir Reshiti është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës që nga viti 1995.

RESHJE NËN PIKËLLIMË

Tërheq zvarrë hijen time
Drejt muzgut që më pret krahëhapur
Një mall i pashpjeguar më mposht
Pikëllima më del përpara
Tërë pikëllim shfaqet para meje ky mal
E hija ime më tërheq zvarrë
Jam kalimtar i vonuar
E Pikëllimën e rëndojnë
Lotë ndarjesh
Dhe reshje dhimbjesh
23081996192734

KALORËSI

Ndal
Pusho në ëndrrën time
Dhe vazhdo trokun tënd të bardhë
O lajmëtar i kobit

Ndal
Akoma pa u çlodhur
Dhe vazhdo trokun tënd të zi
O lajmëtar i ëndrrave të bardha

11111999233819

KËNGË TË DHIMBES KRENARE

Rrugicat më ngushtohen
që bredh
Djersitet muzgu e balli flakëron
Durimin gatuaj për drekën mbretërore
Me pika shiu shuaj etjen
Hijen e shaloj me furfullimën e erës
Këngë të dhimbës krenare këndoj
Me zërin e shterrur të agut
Ninulla do t’u këndoj erërave
Ta qetësoj shpirtin tënd të butë
O kalimtar i vonuar
03041999020222

ZYMTËSI E NATËS

Bardhësi e trishtë
Vjedhurazi rrëshqet
Netëve të verdha
Plot shushurimë
Diku larg shumë larg
Dëgjohen thirravaje
Ulurimë e brishtë
Ta rrënqeth shpirtin
Ëndrrat e bardha fashiten
Mbi muret e kullës së lashtë
Katrahurat vjellin vrerë
Zymtësi e natës shterpë
Shkarkohet mbi qepalla
Kush do ta arrijë agun
Që ta shterojë fundshekullin
Bora bie
E foshnja e padjallëzuar
Shkrehet në vaj
12121997135742

* * *

Një re e copëtuar
E grisur nga ndryshku i lashtësisë
M’u fut në palcë
Një drithërimë ma përshkoi trupin
Gjaku m’u ngjiz në kapilarë
Një mjegullnajë tymi
Erdhi t’i mbledhë copëzat e saj

Pastaj ia behu një shi
Dhe shpërlau damarët e mi
29111999141823

PSHERËTIMË

Në kokë mendimet
Mbulojnë hijen e vdekjes
Dhe notojnë si të dehura
Mes fortësisë së shkëmbinjëve

Në zemër kujtimet
Shpalojnë ëndrrat e këngës sime
E vallëzojnë si të krisura
Mes rrjetave të hekurta të zhgënjimit

Në thembër dëshpërimet
Shfletojnë ditarin e zverdhur
E kridhen me ritual të papërmbajtur
Mes psherëtimash plot dhimbje
20031999214252

NGUSHËLLIMI S’MË MGROH

Shtrëngatë në thellësi të shpirtit
Dehja më kafshon
Ora vjedh kohën time
Ninullat fashiten
Shpresë e pakuptimtë më mban
Qeshjen e ndrydh në thellësi
Heshtja shpërndan dhembjet
Me vela vdekjeprurëse lundron
Ngushëllimi s’më ngroh
Merimangat endin tisin e mjegulluar
Gjurmë fantazmash mbesin
Çasti i murosjes po afrohet
Këmbëzbathur hapëroj mbi majë thikash
Sa shumë djaj me fytyra engjujsh
Paska patur mes nesh
24061996010131

* * *

Pranvera shtrihet
Me gunën e dimrit
Kufijtë rrënohen
Shkujdesshëm
Në rrudhat e ballit prush
Bëjmë hapa të mjegullt
Ndërgjegje e vrarë
E mbytur në buzëqeshje ironike
Virgjëria e zonjëzave
Intimitet i harruar në altar
12041996143445


SHQETËSIM POETIK

Shqetësimi shtrihet labirinteve
Mbështjellë me vellon e pikëllimit
Terr i natës më verbon
E verbëria e mjegullt
Qetas më drejton kah lashtësia
Më kujton Homerin
Që do ta kenë verbuar këngët

Jehona homerike
Ngjitet brigjeve të shpirtit tim
Kërrusur e këputur nga vetmia
Dhe kënga më mbetet në fyt

Me cilën fjalë ta pagëzoj dhimbjen
Si të dal nga ky labirint
Që furishëm hyri në këngën time
24022000235959

SHEKULLI I RI

E rrahur nga furtuna e moteve
U shthur nata e vetmisë
Nga aromë kundërmuese e klithjes
U tret gazi i kalorësve të molisur
Dhe shekujt ikën gjysëm të dehur
Rrëshqiten në humnerat e pafund
U zunë frymën bredhjeve lakuriqe
Duke mbuluar epshet me turpërinë e kohës

Atje tej dëgjohen daullet e shpresës
Dhe një dritë e zbehtë në horizont
Shekulli i ri shtrihet me tërë madhështinë
Shekulli im i zjarrtë shekull vjaskë
31121999235555

DËSHMORËVE TË LIRISË
/tekst kënge/

Tri varre bilur në lëndinë
Tri lule skuqur me gjakun e majit
Sa herë pranverat këndej të vijnë
Do ta rilindin Ilmi Batjarin

Kurora lulesh mbi këto tri varre
Tre yj Opojës ia ngriten namin
Që hynë në këngë në lapidare
Tok me Fetah Sylejmanin

Me gjakun tuaj ujitet lulet
Tokëmëma në zemër do t’u mbajë
Shtatë pashë nën dhe rrënjët i ngulet
O trim Avdurrahman Gërdellaj

Vdekja s’qe fjala juaj e fundit
Do ta thoshte këtë varg poeti
Jeta udhëton si valë e lumit
Ju s’vdiqet lavdia u mbeti
06091999222836

* * *

Me ujin e pavdekshëm ia lava sytë jetës
E shkova ta pres pranverën ndër male
Me mallin për ty u nisa me të gdhirë
Që ujkun e zi ta godas në ballë
Përtej çdo vetmie përtej çdo trishtimi
Ikën ditët netët
Kalorës kohërash u bëra tërë jetën
Ç’nuk bëra për ty Kosovë
Detit ia vodha thellësitë e pafund
Kur fushës vinte vdekja
E lumit rridhte gjaku
Kur korbat nxinin qiellin
E trishtimi qe bërë pjesë e jetës
Më fal Kosovë
Nëse s’kam bërë sa duhet për ty
22051999231844

EMRIN DO TA KETË SHPRESË*

Kur hija e zezë shëtiste mureve
E vdekja qe bërë sinonimi e jetës
Në pranverën e përgjakur
Kur zogjëve u ndalohej fluturimi
E retë i qante zhurma e krismave
Përzier me vajin kumbues të foshnjeve
Me dyzet barrë sa dyzet bjeshkë
U nise rrjedhës së Drinit
Drejt udhës së shpëtimit
Thinjat mbuluar me plisin e bardhë
Kalove shtatë bjeshkë ura e përroje
Pluhurin e rrugës njome me lotë gjaku
Për shtatë plisat që i le në tokën e shkrumbuar
Në një dhomë të errët në Qytetin e Shpëtimit
Një barrë e re që s’ish barrë t’u shtua
Një vaj i ri mes dyzet vajesh
Një kujtim për shtatë plisat në tokën e shkrumbuar
Një shpresë për t’i bashkuar shtatë bjeshkët
Emrin do ta ketë SHPRESË
30051999193909
*Shpresë ia lamë emrin të mbesës së Isak Bytyqit nga Shkoza e Malishevës (baba i 20 fëmijëve) e cila lindi në Kukës!

GJËMË LIRIE

Në pragun e Agut të madh
Kur lirisë i vie erë baroti
Bjeshkët nxjerrin gjëmëdhembje
Kjo këngë këndohet që moti

Vaji i mekur i një foshnjëje
Më zgjoi sot nga gjumi
Ku treti lavdi e kreshnikëve
Heu ç’na përbiu valëlumi

Sot një babaxhan mustaqedredhur
Që me grusht shtrydhte shkëmbgurin
Përpara vajit të foshnjës
Të bardhë e ngre flamurin
01061999044634

KUKËSI

Ku?
Kë?
Si?
Në Kukës
Kosovarët
Rilindën!
16041999232332

SONTE

Sonte s’dëgjohen zhurma avionësh
As raketa ndriçuese nuk duken miku im
Sonte këtë buzëmbrëmje qershori
E prish kjo qetësi e pakuptim

Shumë netë kemi bërë mëkate
E urrenim perëndinë miku im
Sa herë që bënte mot i keq
E avionët s’ngriheshin në fluturim

Sonte s’do të flasim për luftën
As për krisma pushkësh miku im
Sonte do t’i shijojmë bukuritë e liqenit
T’i cakërrojmë gotat me gëzim

Mos e fshih lotin miku im
Se lot gëzimi është ky
Sonte po mbyllet një kapitull
I të lavdishmes histori
15061999201738
(NGA RECENSIONI)
...Në fund të fundit, shpresa është vetë ardhmëria dhe ardhmëria ndërtohet përmes ëndrrës. "Më hapni rrugë/ më hapni shtigje/ të futem mespërmes zjarrit/ në kullën që po digjet/ se flakë e saj/ hap horizonte/ drejt ardhmerisë/". Kështu brit poetikisht krijuesi ne poezinë "Hapni portat". Ai në gjithë atë gjëmë, e ndjen se e ardhmja është e afërt dhe shumë shpejt do t'a prekë vetë me dorë. Duke patur fatin që unë, një nga recenzentet e këtij vëllimi, kam patur mundësinë të shfletoj gjithçka krijuar poeti Demir Reshiti deri më tani, jam në gjendje, ndoshta të pikturoj figurën e tij poetike më saktë e pa asnjë të metë, të meta që shpesh ndodhin, kur studion krijimin e njërit apo tjetrit krijues, që nuk e njeh brenda botës së tij intime. Poezinë "Sonte" e ka shkruar në tavolinë, përballë meje, kur zhurma e avionëve ishte ndalur,e lufta dukej se kishte mbaruar. Mua nuk më besohej, ndërsa poeti ngazëllehej, i ndrisnin sytë e besonte. Zgjati duart dhe tha: "ja ardhmëria jonë, unë po e prek me dorë atë, ti, a e ndjen këtë, më kthehet mua?

"Unë miratova në heshtje mikun tim të mirë, duke zbuluar përfundimisht, natën e fundit të pragtragjedisë tonë kombëtare, plotësisht shpirtin e tij të bardhë. Nuk vonoi dhe pas tre ditësh, vërtetë prekëm lumturinë tonë, ardhmërinë tonë. Jo më kot, poeti në këtë vëllim, ka futur edhe një cikël që e titullon "Fajin e ke ti", dhe luan mrekullisht me figurën e Di-Di-së. Ai, tani ka ikur nga kompleksi i vdekjes, nga shqetësimi e brenga, se mos shpresa e jetës këputet në mes. Poeti ka nevojë tani për sygjelbërtën, për Di-Di-në qiellore "që e ka zënë ngushtë". Jeta më në fund, njeriun poet, nuk e paska harruar. Poezitë e këtij cikli janë shumë të bukura e me më shumë dritë artistike, edhe për arsyen e thjeshtë, se autori nënvizon kthimin në jetën normale, futjen e njeriut në rrethin e gëzimeve, shqetësimeve, brengave, tani tjetërlloj, e jo si më parë...

Kukës, më 14 prill 2000 Besim R. Cengu

* * *
...Poeti Demir Reshiti me këtë libër të fundit, po ec i sigurt, në udhen e tij poetike dhe po sjell vlera të reja jo vetëm në krijimtarinë e tij, por në poezinë bashkëkohore, që po shkruhet, apo më mirë të thuash, po vargëzohet. Demir Reshiti nuk humb kohë me eksperimente, sepse ai ka siguri në origjinalitetin e vet, në këndveshtrim, ndijim, depërtim jo zakonshem në dukuritë e jetës, në interesime dhe synime në ardhmëri, dhe krejt këto i ndërton, e i përcjellë tek lexuesi me mjetet e tij më të preferuara shprehese, që fjalën e bën artistike, me përmbajtje dhe ngarkesë emocionale.
E të gjitha këto e dallojnë nga brezi i vet.
Nga katër ciklet që përbëjnë librin do të dalloja të parin me titull “Psherëtimë” dhe të tretin me titull “Fajin e ke ti”. Ndër poezitë më përfaqësuese për librin dhe poetin do të veçoja: “Zymtësi nate”, “Ngushëllimi s’më ngroh”, “Kujtim i këputur”, “Atë ditë”, “Fajin e ke ti”, “Shpresë e ringjallur”, “Mos”, “Mallin pikturoj”, “Pikëllima në mes”, “Sonte”, “Në kërkim të sygjelbërtes”, “Ike”, “Jo gjithmonë bie shi”, “Babi me kënd po flet”, “Në cilën...”,
“Aromë lumturie”, “Lansim në univers” etj...
Kukës, më 6 prill 2000 Bajazit CAHANI