Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, tetor 10, 2005

ARKËMORTI BOSH nga Riat Ajazaj

Romane

ARKËMORTI BOSH - Romane  nga Riat AjazajNjë roman interesant i posabotuar


Shkrimtari Riat Ajazaj që në vitin 2001 magjistroi në Univerzitetin e Tuebenginit me temën Grotesku te Garacía Márquezi dhe te Kadareja, lexuesit shqipfolës i është bërë i njohur si shkrimtar që kultivon stilin e vet të të shprehurit, tërheqës dhe përmbledhës.

Me botimet e deritashme në prozë dhe poezi si ”Në Perëndim bie shi” (1995), “Përshpërimat e mureve”(2000), “Zanfina” (2001), “Gjarpërinjtë e ëndrrës” (2003) etj., dëshmon bindshëm profilin dhe përkushtueshmërinë në krijimtarinë e letrave shqipe.

Nga po ky autor, ditë më parë, në botim të shtëpisë botuese “Kaoni”, doli nga shtypi romani “Arkëmorti bosh”.

Ashtu si është thënë nga botuesi, aty përshkruhet “nga një moment i dhënë historik, siç ka qenë një demostratë paqësore e fillimit të viteve nëntëdhjetë në Prishtinë, e gjithë frika shpirtërore për fatin individual dhe atë kolektiv. Arkëmorti bosh, i bartur nëpër duart e qytetarëve, shërben këtu si metaforë e personifikimit të dhunës shtetërore, të ushtruar me vite ndaj një etnie të shtypur”.

“Varrimi i dhunës”, i shfaqur realisht në ceremoninë e protestës qytetare, ngërthen në rrëfimin romanesk gjithë diskursin e trashëguar kosovaro-ballkanik dhe, duke e krahasuar dhe problematizuar atë, përpiqet të rezonoj dhe të jetë kritik ndaj tij. Dhe, ajo që është më befasuese, e gjithë shtjella e romanit karakterizohet nga një botë e pashembullt poetike që lexuesin e bën për vete që në faqet e para.

Romani “Arkëmorti bosh” i ngjan një ditari artistik ku pleksen aq natyrshëm rrëfimet e ditëve tmerruese dhe të ditëve të bukura studentore në qytetin e Prishtinës. Mund të merret edhe si një homazh për qytetin e Prishtinës. Në 125 faqet e tij lexuesi ndjehet pjesëmarrës i marshit funebër të kryeqytetit.

Riat Ajazaj dëshmon këtu mënyrën e veçantë të rrëfimit që sigurisht i referohet publikut të gjerë.