Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e enjte, tetor 13, 2005

ARISTIDH KOLIA DHE ANASTAS KULLURIOTI

"Ju lutem mos ushqeni asnjë iluzion. Mua më vranë dhe kështu kanë vepruar edhe me dy kryetarët tjerë të Shoqatës së Shqiptarëve "Marko Boçari", të cilët vdiqën, edhe këta, nga "leuçemia". Këto fjalë ua kam thënë edhe miqve të tjerë të mij"...
- Fjalët e arvanitasit të madh, Aristidh P. Kolia, në shtratin e vdekjes.


Kolec Traboini Vepra e Aristidh Kolias dhe thënia a Anastas Kulluriotit* përkitazi me një shkrim të dy grekëve Leonidha Embirikos dhe Lambros Balciotis në shtypin grek dhe shqiptar.

Personaliteti i madh arvanitas Aristidh Kola vdiq në mënyrë enigmatike, siç cilëson ende pas pesë vjetësh shtypi shqiptar, por e thënë hapur e vranë ultranacionalistët grekë siç janë vrarë edhe arvanitas të tjerë të shquar në histori, duke filluar me Gjergj Karaiskaqin në fushë të luftës, me Teodor Kollokotronin (Bithguri) në burgjet ku u përplas heroi kombëtar nga hierarkët grekë të fanatizmit nacionalist, e vite me pas me të zjarrtin arvanitas të Salaminës, gazetarin Anastas Kullurioti e të tjerë, krime të cilat historia i mban akoma në skutat e fshehta e të errta të arkivave greke, mbase për të mos u hapur kurrë.
Ky fillim shekulli kishte ruajtur të njëjtin fat edhe për ish presidentin e Arvanitasve të Greqisë, historianin e studiuesin Aristidh Kola, për të treguar kështu, se edhe në kushtet e zhvillimeve moderne Greqia, që e quan vehten pjestare të asaj bote të ndritur e të kulturuar, që quhet Bashkim Europian, mjerisht vazhdon ende qëndrimin e paprinciptë të një shteti arrogant, që nuk njeh asnjë të drejtë për minoritetet, për t’u shkolluar e ruajtur traditat e kulturën e tyre. Traditat e kulturat e minoriteteve përbëjnë sot vlera për çdo lloj shoqërie në shtetet e zhvilluara demokratike, por natyrisht jo në Greqinë e mentalitetit mesjetar e bizantin, të cilët mjerisht kanë harruar se ishin vetë grekët, ata që urreheshin dhe përsekutoheshin si popull nga jerarkët bizantinë. Grekët e sotëm, ndërkohë që përdorin të tërë makinacionet e stilit bizantin për t'u mohuar të drejtat minoriteteve, çuditërisht, i kanë si idhujt e tyre të admirueshëm shtypësit e tyre të dikurshëm. Të kthesh në idhull xhelatin tënd që të ka dhunuar, përzënë e shfarosur, është një paradoks i çuditshëm që vetëm në Ballkan mund të ndodh.

Kadri Roshi dhe Aristidh Kola
Artisti Kadri Roshi dhe Aristidh Kola në Athinë me 11 dhjetor 1997
Foto nga Dritan Haxhia

Kemi shënuar që në shkrimin “Vrasja e dytë e Aristidh Kolës”, botuar ne gazeten “Dielli”, New York 2000, se me vrasjen fizike të studiuesit e udhëheqësit arvanitas Aristidh Kola, nuk qe e mbaruar puna e megaloidhesë shoveniste, e mohuesve të lirisë e të drejtave të arvanitasve për gjuhën e kulturën e vet, se edhe më tej do të vazhdonin të vrisnin pak e nga pak idealin e ndritur të Anastas Kulluriotit dhe Aristidh Kolës.

Nuk do të shkonin veç dy vite pas tragjedise se Aristidh Koles, që në shtypin grek, e më pas përkthyer edhe në shtypin shqiptar, të shfaqej një shkrim i dy autoreve grekë Leonidha Embirikos dhe Lambros Balciotis me titull: “Grekët dhe shqiptarët në shekullin e 19-të dhe 20-të”, i cili që në krye e deklaron thuajse hapur qellimin e platformën e vet kur thotë se “është absurd e qesharak pretendimi i emigrantëve shqiptarë në Greqi se Aristidh Kolën e helmoi shteti grek”.

A. Kolia me arbëreshë të Italisë
Miq arbëreshë të Italisë me Aristidh Kolian në zyrën
e revistës “Arvanon”, Gusht 1998

Zotërinjtë në fjalë, që tashmë në shtyp, na hiqen si ish miq të afërt të Aristidh Kolës duke shprehur nje keqardhje hipokrite për vdekjen( jo vrasjen) e tij, jo pa qëllim përpiqen të konfondojnë faktin se askush prej miqëve të tij të vërtetë qofshin shqiptarë apo grekë, nuk kanë thënë me parë e as nuk e thonë tani se shteti grek është drejt për së drejti vrasës i Aristidh Kolës, përkundrazi është thënë fillimisht prej vetë Aristidh Kolës në shtratin e vdekjes dhe më pas prej miqëve të tij se, vrasës janë qarqe të caktuara shoveniste, që gjithësësi kanë të drejtë të shfaqen në forma legale sepse kanë përkrahjen idirekte a direkte, jo vetëm nga shteti por edhe nga mediat ultranacionaliste dhe klima raciste që ekziston masivisht në shoqërinë greke.

Zotërinjtë Leonidha Embirikos dhe Lambros Balciotis nuk marrin fare në konsideratë faktin se dënimi me vdekje i Aristidh Kolës është shpallur publikisht para se të ekzekutohej fshehtësisht, pra të gjithë e parandjenin atë që do të ndodhte. Nuk marrin në konsideratë bisedën në një rubrikë televizive direkte transmetuar në Athinë më 1999, kur tërë të pranishmit në një kor shovenist e racist( intelektualë grekë këto!!!) të dirigjuar nga komunistja shtërpë Liana Kaneli, shanin e mallkonin pa pikë kulture e etike dhe u hodhën si të tërbuar kundër Aristidh Kolës që gjithësesi i qëndroi me dinjitet kësaj lukunie cakejsh si te kishin dale nga shpellat e mesjetes, e qe nuk jane pa pergjegjesi me pergatitjen e klimes per vrasjen e Aristidh Koles. Sulmeve te pacipa deri ne masmedia publike, shkrimtari arvanitas i priti me gjakftohtesi, pa acarime, me nje kulture qe i shkonte per shtat emrit te tij si shkrimtar e studiues i shquar, veprat e te cilit kishin perhapje te gjere dhe ribotoheshin shume here. Ja si shkruan ne revisten e tij duke ju referuar ketij incidenti te turpshem te masmedias greke:

Aristidh P. Kolia
Aristidh P. Kolia. Foto nga revista “Ritmi i Salaminës” Greqi

"Shumë miq më telefonuan për të shprehur indinjatën për baltën që hodhi mbi mua zonja Liana Kaneli, gjatë emisionit televiziv në "Skaj" 5 Maj 1999, dhe më pyetën perse e përballova me qetësi , kur duhej të kundërsulmoja...

Miqt e mi mos u merzisni e mos u hidhëroni për këtë, sepse "e drejta del, vjen kur ti vije ora"...

E kam dashur dhe e dua vendin tim por dashuria ime nuk është me fjalë por me veprat e mija të cilat do të kujtohen kur balta e zonjës…Kaneli të kalojë në harresen e shekullit. Kam preferuar gjithmonë të shkoj kundra rrymës e jo të shkoj nga shkon rryma dhe fryjnë erërat .Nuk jam lëpirë e nuk kam puthur kurrë këmbët e përmjera dhe për këtë e paguaj shtrenjtë dhe në mënyrë të përditëshme me nderin e dinjitetin dhe lirinë time..."


Por gjithesesi zemra e madhe e Aristidh Kola e dinte se sa shqetesim e sa deme i sillnin me krijimtari, sa tundime madje edhe ne rrethin familjar, sepse presioni i opinjonit shoqeror binte edhe mbi familjen e tij, mbi te afermit e miqt.

Nuk marrin në konsideratë faktin se banditët kapsalistë kishin shkruar nëpër muret e Athinës “Vdekje Aristidh Kolës”, apo “Tradhëtari Kolia në litar”, për faktin se Aristidh Kola denonconte gjenocidin sërb ndaj shqiptarëve të Kosovës në librin e tij “Greqia në grackën e serbëve të Millosheviçit” . Këto gjëra për këto dy zotërinjë nuk ekzistojnë. Nuk ekziston as fakti se zyrat e Aristidh Kolës në rrugën “Filipidu” të Athinës kanë patur një bombardim intensiv me rreze radioakative, sa ndoshta edhe sot, pesë vjet pas vdekjes së tij, do të kenë mbetur ende gjurmë. Përpara se zotërinjtë grekë, pseudo miq të arvanitasit të madh, të mohojnë me një të rënë të lapsit plot të verteta mbi çfarë po ndodh me arvanitasit në Greqi apo të mohojnë çfarë të tjerët besojnë se tragjikisht e mizorisht ka ndodhur le ti kërkojnë organeve të specializuara t’i bëjnë një hetim studios së Aristidh Kolës, që tashmë familjarët e tij, me të drejtë e kanë kthyer në rezidencën e vet për t’ju shmangur sa të jetë e mundur manipulimit të fakteve që ënde mund të kenë mbetur diku në suvatë e mureve e qe neser mund te flasin. E për më tepër këta dy zotërinjë që duan të mbrojnë dinjitetin e shtetit grek, le ti kërkojnë këtij shteti apo organeve të specializuara të Bashkimit Europian mundësi që t’i bëjnë analizë kockave në varr të Aristidh Kolës, nëse kanë apo nuk kanë ende gjurmë radioaktive qe te çojne fatalisht drejte leuçemise. Mbase kështu do ta lehtësojnë shtetin dhe opinionin mediatik të mbarsur me shovenizëm prej peshës së fajit e të krimit të përbashkët të mbarë shoqërisë greke jo vetëm ndaj Aristidh Kolës por ndaj mbarë arvanitasve që nuk janë pak por mbi një milion, paçka se shifrat e verteta fshihen po nga ky shtet i "pafajshëm" sipas tyre.

Gjithmonë kur do të shkatrrosh një njëri, mënyra më e mirë është të hiqesh si mik, e këtë dy zotërinjtë grekë Embirikos dhe Balciotis e dinë më mirë se kushdo në botë sepse janë grekë dhe kanë lidhje jo vetëm shpirtërore por dhe gjeneze me Kalin e Trojës.

Zotërinjtë e tyre arrijë deri atje sa stilin grek të eleminimit fizik të njerëzve "të padëshërueshëm" ta vënë në dyshim madje deri dhe në rastin flagrant të Anastas Kulloriotit, duke shkruar në artikullin e tyre se ai ishte mbase një rast “i mundshëm në dhjetvjeçarin 1880”. Pra grekët bashkohorë, tashmë të europianizuar!!! ngjarjen reale e bëjnë të dyshueshme ( mbase) ndersa rastin e dyshueshem e bëjnë të paqënë duke shtuar se këto janë më shumë vartësi të ideologjive të shkuara madje edhe atyre të shekullit të 19-të, të cilat, gjithnjë sipas dyshës greke Embirikos dhe Balciotis, “torturojnë” edhe sot shoqërinë shqiptare dhe shkencen e historisë.

Këta dy zotërinjë antishqiptarë, çfarë nënkupton dhe antiarvanitas më kot hiqen si ish miq të Aristidh Kolës me të cilin, siç thonë, që në të gjallë kishin patur divurgjenca sa i përket vlerësimeve të historisë.Duket hapur qellimi i tyre që në krye të shkrimit, ndaj të gjitha rrokanisjet e tjera gjoja shkencore për mardhëniet shqiptaro-greke në histori janë vetëm një kontorno e stilit grek të helmit në kafe ku përpara Aristidh Kolës mund të radhitët një plejadë herojsh duke nisur , siç më pare permendem, me kryeheroin Teodor Kollokotronin e plot të tjerë.

Por gjithësësi të vinë punët e gjithësësi të spërdridhën grekët e politikës dhe diplomacisë së pa principtë, arvanitët, arbërëshët e Greqisë, të stëres dhe të ishujve, kurrë nuk mund ta harrojnë amanetin e të pavdekshmit Anastas Kullurioti, që nga Salamina e betejave navale arvanitase, ngrinte zërin e tij: "Kombet nuk janë insekte, që mund të heqin dorë dhe të braktisin aq kollaj kombësinë, gjuhën zakonet dhe traditat e tyre si gjarpërinjtë që ndërrojnë lëkurën, të mohojnë etërit, mëmëdheun dhe fisnikërinë e tij, traditat e trimërisë së vet, është anakronizëm dhe e padëgjuar, që në historinë e kombeve të gjëjmë një popull aq haram dhe indiferent ndaj vetvetes".

Kështu tha në të gjallë të tij Anastas Kullorioti dhe nga këto mësime u udhëhoq në të gjallë të tij Aristidh Kola për zgjimin e ndergjegjësimin së mbi një milion arvanitasve të Greqisë, prandaj që të dy i vranë. I vranë se guxuan.I vranë se mbrojtën të vërteten. Edhe mësuesin edhe dishepullin e vazhduesin e veprës së tij.

Tashmë hienat e shovenizmit grek po i pervishën ethshëm veprave të tyre.Por këtu e kanë të vështirë. Tepër të vështirë. Dhe, në këtë rast, per mjerimin e tyre, nuk u bëjnë punë as helmi në kafe e as rrezet radioaktive, por as dhe haluçacionet e pseudostudiuesve, që nën petkun e “mikut” të martirëve, marrin nën mbrojtje mbrapshtitë e shekujve.

* Anastas Kullurioti, sipas te dhenave te Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, ka lindur në vitin 1820. Ishte arvanitas i ishullit të Salaminës. Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit botoi gazetën “I foni tis Alvanias”( Zëri i Shqipërisë). Botoi abetare shqipe, si dhe broshura të ndryshme për çeshtjen shqiptare “Ankimet e shqiptarëve”. Mbrojti çeshtjen shqiptare dhe të drejtat e arvanitasve për gjuhë, kulturë e dije bashkë me kolegun e tij arvanitas të shquar Panajot Kupidorin ( 1821-1881)

Në verë 1883 bëri një udhëtim në Shqipëri, por nuk qëndroi gjatë për shkak të nderhyrjeve të konsullatës greke pranë autoriteteve osmane të Gjirokastrës të cilat e dëbuan nga Shqipëria. Luftoi hapur kundër Megali Idhesë greke që punonte në dëm të çeshtjes shqiptare, për çfarë fitoi armiqësinë dhe më pas vdekjen prej qarqeve ultrashoveniste të cilat e helmuan në vitin 1887.

Anastas Kullurioti është figura më e ndritur e arvanitasve në vitet 1880, ndaj të cilit edhe sot e kësaj dite në Greqi mbahet një qëndrim mohues duke u perpjekur që arvanitasit të mos ndikohen prej ideve të tij iluministe si për shqiptarët në brigjet e adriatikut dhe Jonit po ashtu dhe arvanitasit anë e mbanë Greqisë.

Botuar ne gazeten "Illyria", New York.