Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e premte, shtator 23, 2005

Nga waqja Frosinahttp://www.frosina.org/forum/forum_posts.asp?TID=2819&PN=2

Marre nga web faqja Frosina




ll tjetër me shkëlqim të veçantë në qiellin e kulturës sonë muzikore
shpresa_gashi
Intervistoi Flora Durmishi

"Jam produkt i institucioneve kosovare. Para luftës ato u shembën nën goditjen e regjimit serb kështu që u pamundësua prodhimtaria e gjithmbarshme institucionale, pra edhe prodhimi i tyre. Unë nuk e mbajta hapin në zëvendësimin e institucioneve me ato private ngaqë, siç thash, nuk pranova të konvertohem“ !
/Shpresa Gashi/

Kur flasim për vlerat e mirëfillta të muzikës shqipe, mendojmë gjithsesi edhe për këngëtaren Shpresa Gashi. Me talentin dhe punën e saj i bëri vetes vend në mesin e artistëve të respektuar.

Shpresa Gashi u lind në Pejë më 7 shtator 1950. Rrjedh nga një familje e vjetër qytetare në të cilën është kultivuar dhe trashëguar nëpër breza dashuria për muzikën dhe artin. Gjyshja e Shpresës, Nicë Gashi, ka luajtur shkëlqyeshëm në instrumente harkore, si violinë etj. E ëma e Shpresës, Gjina Ndueleshi-Gashi, ishte këngëtare, tezja, Jozefina, po ashtu një kushërirë e saj e parë, Gongja, ishte soprano me emër në Kosovë. Ndërkaq babai i Shpresës ishte i pasionuar pas fotografisë.

shpresa_me_mamin_dhe_motrat

Një fjalë e urtë thotë se fëmija edukohet 40 vjet para se të lindë. Kjo urti të bie ndërmend sapo shfleton nëpër biografinë e Shpresa Gash*t. Ajo lindi dhe u rrit në një ambient familjar ku tingujt e bukur, kënga dhe bisedat për muzikën ishin të përditshme.
Pra që në familje fitoi dashurinë për muzikën, e natyrisht, edhe përkrahjen që të vazhdojë shkollimin në këtë fushë.
U regjistrua në shkollën e mesme të muzikës në Prizren ku u dallua dhe ra shpejt në sy për kualitetet e saj.
Pas kryerjes së shkollës së mesme të muzikës punon si mësuese e muzikës në qytetin e saj të lindjes.
Ky ishte vetëm një pushim i shkurtër para studimeve të mëtejme. Në vitin 1970 fillon studimet në Akademinë e Muzikës - në degën e Teorisë së Muzikës. Njëkohësisht jashtë akademisë, me punë plotësuese, bën avancime serioze në perfeksionimin e solokëndimit te profesorët eminentë të kohës, në Zagreb, Shkup e Tiranë.
Tashmë, në kokën e saj, kishte disa idole si : Tefta Tashkon, Marie Krajën, Lucie Milotin dhe Nexhmije Pagarushën.

Shpresa po pushtohej nga një dëshirë e fuqishme që të shkojë gjurmëve të këtyre figurave, të mëdha, të kulturës sonë.

Më 1974, Shpresa mbaroi Akademinë e Muzikës, në afat, dhe me shumë sukses. Por këtu nuk mbaruan dëshirat dhe ambiciet e saj për të mësuar më shumë e më shumë. Ishte, më shumë, një fillim i ri për përparime të reja në këtë vokacion. Kjo dëshirë e gjeti në Zagreb, ku duke lënë mbrapa një konkurrencë mjaft të fortë, u bë pjesëtare e Ansamblit Profesional, të parit dhe të vetmit në hapësirën e ish Jugosllavisë, i cili kultivonte muzikën e renesancës dhe quhej, Universitas Studiorum Zagrebiensis.


image

Me themelimin e redaksisë së muzikës në Televizionin e Prishtinës ajo jep kontributin e vet të çmuar. Shpresa këtu punon si bashkëpunëtore e muzikës serioze, si ilustratore dhe si drejtuese e emisioneve muzikore.

Origjinaliteti dhe timbri, tepër i veçantë, i zërit të Shpresës, janë veçori dalluese të saj. Sot, thotë Shpresa, kur ka kaq shumë huazime të muzikës së huaj i vetmi bastion që nuk pushtohet e tjetërsohet është timbri muzikor që ruan vlerat origjinale. Natyrisht rëndësia e institucioneve është e vetëkuptueshme.

Ndër shumë epitete, thënë për Shpresa Gashin, ajo pëlqen pikërisht vlerësimin se “Shpresa këndon shqip dhe ka timbrin shqip”. Kështu ka thënë në një rast për Shpresën, muzikologu i madh shqiptar, Ramadan Sokoli.

Shpresa e provoi veten në disa zhanre dhe në të gjitha shkëlqeu, duke dëshmuar se është artiste e mirëfilltë. Asaj i ngeli pa realizuar vetëm një dëshirë! Limitet e kohës, mundësitë e kufizuara, mungesa e institucioneve operistike nuk i mundësuan realizimin e ëndrrës : ngjitjen në skenat e operas.

Edhe Legjenda e këngës Shqipe, Nexhmije Pagarusha, shpreh keqardhje që nuk u bë e mundur ta dëgjonte një ditë Shpresën në një rol në opera për çka Shpresa ishte e zonja.

Një pjesë e karrierës dhe suksesit të Shpresës lidhet me Radio Televizionin e dikurshëm të Prishtinës duke i dhënë shumëçka njëri tjetrit.

Me themelimin e korit profesional të Radio Prishtinës, ajo bëhet soliste e këtij institucioni të ri kosovar. Kompozitori dhe dirigjenti, Rafet Rudi, duke iu referuar pikërisht kësaj periudhe të bashkëpunimit me Shpresën, në korin e Radio Prishtinës, vë në dukje paraqitjen e suksesshme të saj në disa zhanre : popullore, zbavitëse, serioze dhe muzikës së vjetër qytetare. Një nga momentet kulmore z. Rudi veçon realizimin brilant të Shpresës në veprën “ Flijimi”, shumë e popullarizuar në vitet e ’80-ta.

image

Në Korin e Radio Prishtinës Shpresa punoi deri në vitin 1990, kur të gjitha institucionet kosovare po mbylleshin një nga një. Ajo kaloi vite të rënda në vazhdim.

Shpresa Gashi, ka kënduar në shumë festivale dhe skena muzikore, në hapësirën shqiptare dhe jashtë saj, në vendet ballkanike, në Evropë, SHBA dhe Australi.
Zëri i saj, i sopranos lirike, me një koloraturë të veçantë, është në më se 60 incizime, shumë prej të cilave edhe janë vlerësuar me çmime të ndryshme.

Shpresa është edhe kantautore e tetë këngëve. Ka disa këngë në duet, me Bashkim Paçukun, Xhelal Bakraçin dhe një me djalin e saj Edmondin, tek i cili Shpresa sheh vazhdimësinë e traditës familjare.

E gjithë kjo është vetëm një pjesë me disa nga karakteristikat kryesore, por të thëna kalimthi për krijimtarinë dhe biografinë në përvjetorin e saj të lindjes.

Shpresojmë se Shpresa ende nuk e ka thënë fjalën e fundit.


Blue Sky: Shpresa, keni pasur afinitet të barabartë për muzikë dhe pikturë. Zgjidhët muzikën, pse?

Shpresa Gashi : Po, kam pasur afinitet të barabartë për muzikë dhe pikturë, vendosa për të parën ngase ishte dëshirë dhe realizim i prindërve, gjegjësisht, i nënës, e cila këndonte shumë bukur! Kështu që ajo mosrealizimin e vet e plotësoi te unë.

image

Blue Sky: E kujtoni këngën e parë me të cilën u dallua prirja juaj për këndim?

Shpresa Gashi: Kënga e parë me të cilën u dallua talenti dhe afiniteti im për këndim, mësuar nga Gongje Gashi, këngëtare shumë e njohur aso kohe, e Radio Prishtinës, ishte kënga - “Këndo kitarë me gjuhën time”, të cilën më vonë, në rininë time të hershme, e këndoja së bashku me Jusuf Gërvallën, në përcjellje të kitarës së tij. Ata që e kanë njohur Jusufin, e dinë se ai nuk ka qenë vetëm patriot i rrallë po edhe artist i vërtetë i këngës dhe poezisë.

Blue Sky: Si studente keni pasur një ofertë serioze për të kënduar në Universitas Zagrebiensis!

Shpresa Gashi: Gjatë studimeve të mia, në Zagreb, mora ftesën për të kënduar në Ansamblin professional, të parin aso kohe në ish Jugosllavi, i cili kultivonte muzikën e renesancës dhe quhej Universitas Studiorum Zagrebiensis. Pas disa muaj ushtrimi, mbajtëm tri koncerte në Kroaci, Slloveni dhe Istër. Pasoi oferta për specializim dyvjeçar në Amerikë por nostalgjia dhe dëshira që të kontribuoj në Kosovë ishte më e fortë. Kështu u ktheva së bashku me ambiciet e mia për ta kultivuar muzikën klasike shqipe si dhe atë botërore. Institucionet përkatëse kurrë nuk u formuan deri më sot, kështu, ëndrra ime nuk u realizua deri në fund.

shpresa me te birin e saj

Blue Sky: Pas përfundimit të studimeve filluat punën në TVP e më pas edhe në Radio Prishtinë. Të flasim pak edhe për atë kohë!

Shpresa Gashi: Ah, po! Pas TV Prishtinës, mora ofertën shumë privilegjuese që të jem këngëtare e paguar e Radio Prishtinës së atëhershme. Aq më shumë komplementonte me atë se ai vend pune i takonte vetëm legjendës sonë, Nexhmije Pagarushës.
Por më vonë u shtua nevoja edhe për dy këngëtarë, natyrisht jo të formatit të saj unik, siç ishte Nexhmija, u pranua Bashkim Paçuku dhe unë.

shpresa_me_bashkimin

Blue Sky: Më pas keni shkuar në Tiranë për një specializim apo jo?

Shpresa Gashi: Nga ky vend i punës rastisi që të shkoj së bashku me flautisten tonë të mirënjohur, Venera Mehmetagaj, në një specializim të shkurtër në Tiranë dhe të punoja me pedagogen, tanimë të ndjerë, Jorgjia Truja. Ishte fat për mua të punoja me këtë profesioniste të rrallë. Kam kujtime të mrekullueshme nga ajo kohë.

Blue Sky: Kori Profesionist i Radio Prishtinës kishte nevojë për zërin tuaj!

Shpresa Gashi: Hë, me ndjenjën e parazitit, që paguhet mirë dhe nuk shfrytëzohet mjaft, ngase kërkesat e Radio Prishtinës së atëhershme ishin të vogla, vendosa të kaloj në korin profesionist te RTP-së si soprano, soliste dhe tutiste, drejtuar nga Rafet Rudi e më vonë edhe nga Baki Jashari.

shpresa gashi

Blue Sky: Keni kënduar në të gjitha zhanret. Pse kjo larmi e zhanreve? A mos ishte ky një hulumtim...

Shpresa Gashi: Ah, jo! Kjo larmi e zhanreve, në repertorin tim, nuk flet për hulumtimet e mia, por mungesën e përkrahjes shoqërore gjegjësisht institucionale. Në fillim, e më vonë herë pas here, kam kënduar arie operash të lehta dhe të vështira të autorëve klasikë botërorë e shqiptarë. Por nevoja ime e pandalshme që t’i shpreh ndjenjat e mia përmes këngës më shtyri që të bashkëpunoj edhe me kompozitorët e zhanreve të tjera.

image

Blue Sky: Sigurisht keni shumë kujtime nga koncertet dhe festivalet nëpër botë!

Shpresa Gashi: Do të veçoj, me këtë rast, një koncert në Opati, ku aso kohe bëhej zgjedhja e Këngës së Evrovizionit. Konkurronin këngë nga të gjitha trevat e ish Jugosllavisë. Të gjithë këngëtarët tjerë kishin të drejtë të visheshin sipas dëshirës dhe nuk u bëhej vërejtje në zgjedhjen e ngjyrave përveç këngëtarit nga Kosova i cili nuk kishte të drejtë të kombinojë dy ngjyrat, qofshin ato edhe të trendit. Unë e kisha veshur një fustan pikërisht me kombinimin e dy ngjyrave të ndaluara: kuq dhe zi! Në shtypin e nesërm Jugosllav u kritikova zëshëm.

Blue Sky: Shpresa ju keni kompozuar disa kënge. Pra jeni edhe kantautore. Cilën prej tyre e keni më për zemër?

Shpresa Gashi: Kam qenë kantautore e tetë këngëve, prej të cilave më kanë mbetur vetëm dy! Më ka mbetur njëra që e kam kënduar në Akordet e Kosovës ‘88-’89 dhe kjo e fundit „Baladë për Drenicën“. Me këtë këngën e fundit desha të jap kontributin tim të vogël për luftën, për Kosovën. Jam e lumtur që kjo këngë është pëlqyer shumë.

image

Blue Sky: Si ka mbijetuar Shpresa në kohën e okupimit?

Shpresa Gashi: Jam produkt i institucioneve kosovare. Para luftës ato u shembën nën goditjen e regjimit serb kështu që u pamundësua prodhimtaria e gjithmbarshme institucionale, pra edhe prodhimi i tyre. Unë nuk e mbajta hapin në zëvendësimin e institucioneve me ato private ngaqë, siç thash, nuk pranova të konvertohem. Mbijetova me vështirësi të mëdha por vertikalisht, prandaj ndihem integrale, e paluhatshme, e cila e ruajti integritetin personal dhe artistik.

Blue Sky: Në karrierën tuaj keni pasur edhe shumë çmime, do veçonit ndonjërin prej tyre?

Shpresa Gashi: Shpërblimet më të mëdha kanë qenë duartrokitja dhe publiku, i cili më ka përkrahur. Ka pasë shpërblime, posi, si ai në Festivalin Gjithëkombëtar në Shkodër, pastaj në Akordet e Kosovës, disa shpërblime tjera, qoftë në akorde me Mikrofonin e Artë etj. I fundit ishte “Çmimi për karrierë”, i ndarë nga një juri prestigjioze në Tiranë, në një konkurrencë të madhe.

shpresa_me_cmimin_e_fituar

Blue Sky: Shpresa, juve ju kanë vlerësuar lart kritikët e muzikës! Unë do doja një vlerësim nga ju për vetën tuaj! Nota, shenja dalluese e Shpresa Gash*t?

Shpresa Gashi: Jam përpjekur ta analizoj veten përse anoj nga melankolia! Kam konstatuar se kjo notë ka të bëjë me natyrën time, me dhembshurinë e tepërt që kam për njerëzit dhe ngjarjet. Nota tjetër karakteristike e zërit tim është nostalgjia, të cilën as vet nuk e di se si zëri im rrezaton me nostalgji, me mall, me kujtesë dhe gjakim për diçka që është idilike. Kur them nostalgji unë nuk mendoj vetë për atë ndjenjë, për kohën e kaluar, ndjenjë dhembjeje për atë kohë të kaluar, por për një mall, për idealen. Nostalgjia te unë shfaqet edhe për të sotmen edhe për të ardhmen. Ja kjo jam unë!

Blue Sky: Do doja, gjithashtu, mendimin tuaj për muzikën që krijohet sot!

Shpresa Gashi: Momentalisht është një mishmash që flet për mungesën e standardit kombëtar. Bashkëjetojnë në të njëjtën kohë këngët e melosit arab, turk, serb, italian, jevg, grek…, dhe të gjitha këto të kënduara në gjuhën shqipe! Për t’iu përgjigjur saktësisht kësaj pyetjeje duhet rikujtuar shkaqet që ndikuan në përhapjen e huazimeve, të jovlerave, të kuazivlerave, nga kulturat e huaja. Shkaku kryesor ishte natyrisht shkatërrimi i institucioneve. Përderisa nuk i përtërijmë ato, procese devijante në muzikë do të vazhdojnë të gjallojnë dhe të krijojnë konfuzione të reja. Megjithatë, ka edhe procese inkurajuese, bie fjala formimi i filarmonisë sonë, operas, gjithashtu dhe tendenca e te rinjve që t’i përcjellë trendët e muzikës botërore, krijimi i një publiku që di t’i konsumojë vlerat e mirëfillta të muzikës.

image

Blue Sky: Kohën e fundit po emetohet në programet televizive një spot (videoklip) të cilin e keni realizuar për njërën ndër këngët e pëlqyera shumë nga dëgjuesit. Nuk jemi mësuar që këngëtaret e gjeneratës tuaj, këtu në Kosovë,të bëjnë spote. Si lindi kjo ide?

Shpresa Gashi: Vendosa që me një ambalazh të këngës sime të dal nga harresa për adhuruesit e mi ngaqë mendimi i djalit tim ngadhënjeu duke thënë se, muzika sot shikohet e më pak dëgjohet! Unë kisha vizion të qartë për spotin, pasi që tekstin e këngës e bëra vet dhe autori i këngës, Valton Beqiri, me një mjeshtri të madhe mishëroi muzikën me tekstin. Por, për ta realizuar komplet vizionin nuk kisha mjete të mjaftueshme, në mungesë të sponsorëve.

Blue Sky: A mund të presin adhuruesit tuaj ndonjë projekt të ri nga ju?

Shpresa Gashi: Kam një ofertë për një projekt i cili do të punohet filmikisht, në shqip për të parën herë, e mendoj që do të pëlqehet nga adhuruesit e artit dhe adhuruesit e mi! Le të jetë kjo një surprizë për adhuruesit e mi. Gjithashtu kam edhe një ide tjetër në kokë të cilën individualisht nuk mund ta realizoj. Është punë kolektive prandaj nuk jam e sigurt për realizimin e plotë.

Blue Sky: Nuk do ta zbuloni fare se për çka është fjala?

Shpresa Gashi: Fjala është për një kabare muzikore në të cilën do të marrin pjesë: Nexhmije Pagarusha, Enver Petrovci dhe unë. Autorët janë te përzier, nga Shqipëria dhe Kosova, prandaj edhe realizimi do kohë.

Blue Sky: Shpresa ju urojmë shëndet dhe jetë të gjatë! Presim që edhe më tej të na kënaqni me këngë të reja e me paraqitje kulmore që begatojnë trashëgiminë muzikore.

Shpresa Gashi: Faleminderit, ishte kënaqësi të bashkëbisedoj me ju !

shpresa me floren


Thanë për Shpresa Gashin ;


Dr. Rexhep Munishi-etnomuzikolog

Shpresa Gashi, solokëngëtare e arsimuar me diplomë fakulteti, në rrethanat tona që ishin në Kosovë, nuk pati mundësinë të ushtrojë vokacionin e saj të zgjedhur por ajo krijoi një karrierë të shkëlqyer në interpretimin e këngëve popullore qytetare, këngëve të lehta, dhe këngëve të shkruara në frymën e melosit popullor. Me këndimin e saj, të pëlqyer nga të gjithë, ajo i bëri vetës vendin në rendin e parë të këngëtareve më të mira shqiptare. Me një diapazon të gjerë të zërit, me aftësi të mëdha realizuese, Shpresa Gashi arriti të interpretojë me sukses të gjitha zhanret e këngës, muzikës së popullarizuar. Shpresa me dinjitet shkëlqen në skenë. Ajo me ndjenjat më të fuqishme i qaset realizimit, interpretimit të këngës, dhe me dhuntinë e saj muzikore arrin të perfeksionojë sintezën melodi- tekst duke i arritur edhe detajet më të vogla melodike- poetike. Shpresa këndon me lehtësi, me zë të çiltër e të pastër, me diksion të qartë, që sjell edhe këndimin më të kultivuar e të emancipuar të këngës së popullarizuar shqiptare. Është kënaqësi të dëgjohet, të shihet po edhe të jesh bashkëkohanik i një këngëtareje siç është Shpresa Gashi. Jemi të vetëdijshëm se për ta vlerësuar objektivisht këtë këngëtare kërkohet një përgjegjësi profesionale dhe se me pak fjalë të thëna nuk mund t’i dilet hakut kësaj interpretoje meritore të skenës muzikore shqiptare. Jeta e saj në skenë, efekti i saj në jetën muzikore shqiptare meriton një shkrim me përkushtim dhe më shumë serioz.

Edit Mihali- soprano

Shpresa Gashin e njoh prej vitesh. Kur ka ardhur ajo në Shqipëri ka qenë fare e re dhe mua më ka bërë përshtypje zëri i saj natyral, i pastër me një lloj transparence brilantëse si një kristal, vërtet kristal, dhe me një impostim natyral i saj. Një nivel profesional, si nga ana e dhuntive që i ka dhënë Zoti, zërin e bukur por edhe të një muzikaliteti të saj dhe të një gustoje të të kënduarit, të një kulture që ajo ka fituar gjatë jetës së saj. Kjo është konsiderata ime nga ana profesionale për Shpresa Gashin. Por unë do doja të them disa fjalë edhe për Shpresën njeri - është shumë e rëndësishme për një artist, përveç të jetë me nivel të lartë profesional duhet të jetë edhe njeri së pari. Unë e respektoj Shpresa Gashin, jo vetëm si artiste por edhe si njeri me karakter të fortë, njeri i butë dhe i ndershëm.

Prof. Ramadan Sokoli- muzikolog

Shpresa këndon shqip dhe ka timbrin shqip! Natyra e ka pajisë sopranon, Shpresa Gashi, me një burim apo laring me cilësi të jashtëzakonshme. Nga dridhja e pejzave të ndjeshme të këtij gurgulli përshkuar nga fryma përftohen tinguj të kulluar e të lëmuar në tërë shtrirjen e tyre. Të dëgjosh këngëtimin e shprehjes së thekshme dhe plot kalime të shkrifta e të shkëlqyera, të dëgjosh Shpresa Gashin kur këndon është jo vetëm ëndje dhe kënaqësi e madhe… Uroj sopranon tonë - të këndoftë zemra o Shpresa Gashi!

Jorgjia Truja- Artiste e Popullit

Shpresa Gashi, një këngëtare me cilësi artistike me interpretimin e së cilës bie në sy pasuria emocionale, konsekuenca e mendimit muzikal, e veshur me timbrikën vokale vibruese që e karakterizon atë. Në vokalin e saj është karakteristike njëfarë lehtësie në përdorimin shumë harmonioz të ngjyrave. Këto ngjyra e timbra të vokalit të saj të tërheqin duke të lënë një përshtypje të këndshme muzikale edhe pas mbarimit të këngës. Kështu për një timbrik të pasur me ngjyra, flasin qartë këngët popullore si “ Midis ballit ma ke një pikë”, “Qenke nuri i bukurisë, “ Kroi i fshatit tonë” etj. Në interpretimin e Shpresa Gash*t, mendimin, pastërtinë e kthjelltësinë e natyrës sonë të bukur që rrjedhin si uji i kaltër i kroit të posa zbritur nga mali, të vëna në evidencë pikërisht nga nuancimi me finesë që mund ta quajmë specifike, karakteristikë të vokalit të saj.
Mua më ka bërë përshtypje thjeshtësia dhe këmbëngulja me të cilën ajo ka punuar. Përpikëria, insistimi për të nxjerrë në pah atë që këndonte ishte ligj i punës së saj. Pra, këto cilësi, ajo nuk do të mund t’i arrinte, atë zhdërvjelltësi dhe rrjedhshmëri të vokalit, atë elasticitet të vibrimit të kristalit të zërit të saj. Ajo trajton frazën me një frymëmarrje të edukuar si në kulminacione ashtu edhe në pianisimo. Shpresa Gashi është një këngëtare intuitive dhe me kualitete vokale të kulturuara që e bëjnë atë komunikuese, të aftë t’i shpreh me aq finesë e shije këngët duke i bërë të dashura për të gjithë artdashësit.

Prof. Engjëll Berisha- kompozitor

Shpresa Gashi është njëra ndër këngëtaret që ka filluar të këndojë para më shumë se 30 vjetësh në SHKA “Agimi” në Prizren. Kur ka filluar të këndojë Shpresa , nuk ishte aq profitabile në pikëpamje materiale, por ishte një kontribut kulturës tonë muzikore. Atë kohë nuk kishim një vërshim kaq të madh këngëtarësh. Kontributi i Shpresës ka qenë shumë i rëndësishëm. Pas mbarimit të shkollës së mesme studioi kanton. Ajo ka një fond të këngëve të muzikës serioze po edhe të muzikës së lehtë. Zëri i saj i përgjigjet edhe më fort muzikës së lehtë dhe këngëve lirike.


Nina Mula

Për herë të parë kam dëgjuar arien e Gjildës nga opera Rigoleto dhe mbeta mjaft e kënaqur. Shpresa dëshironte vërejtje nga unë dhe ne bashkëbiseduam. Mua më la përshtypje si një këngëtare mjaft muzikale me një zë shumë të bukur dhe isha shumë e kënaqur që ajo studionte seriozisht. Kjo u reflektua me koncertin kur këndoi këngën “ Oj erdhi bilbili”. Këndoi shumë bukur, me zë kristal, me shumë ndjenjë. Ajo ka edhe shumë sharm në skenë, di ta paraqesë veten, të bukur, të sjellshme, të lidhur me publikun… Sot këngët kanë ndryshuar ngjyrën, ritmin, kanë ndryshuar interpretimin. Shpresa nuk imiton kërkend. Ajo këndon me stilin e saj të bukur e për këtë e përgëzoj, se imitimi është gjithmonë një diçka e keqe, nuk je vetvetja, je dikush tjetër, i përzier e për këtë jam shumë e kënaqur.

Rafet Rudi- kompozitor

Shpresa Gashi, në kuadër të Korit të Radio Prishtinës, ka pasur një status të solistit jo formalisht, por e zgjedhur për këndime në vepra të ndryshme. Një prej momenteve të bashkëpunimit do të veçoja ekzekutimin që ajo ka bërë në një vepër timen. Fjala është për veprën “Flijimi”, një vepër vokalo instrumentale e cila në fillim të viteve të ’80- të është ekzekutuar mjaft, qoftë në festivale të vendit po edhe jashtë. Në atë vepër një prej parteve kryesore solistike është parti i sopranos dhe këtë detyrë e ka pasur Shpresa dhe mund të them se ajo me shumë sukses e ka realizuar këtë. Pikërisht në këtë vepër, unë mendoj se ka ardhë në shprehje vokali i saj: një zë i ëmbël, muzikal, jo agresiv, mjaft i këndshëm. Është fjala për një part ku kërkohet një ëmbëlsi do thosha e theksuar, sentiment i posaçëm i vokalit dhe, Shpresa ka arritur ta qëllojë këtë karakter. E konsideroj një prej realizimeve më të mira të Shpresës dhe natyrisht më vjen mirë që ka ndodhur pikërisht në veprën time.

Nexhmije Pagarusha

Shpresën kam pasur shumë shpresë që një ditë ta shoh duke interpretuar Cocosanë e cila edhe fizikisht i përngjan. Mirëpo fatkeqësisht koha nuk punoi për të, dhe jo vetëm për të por për tërë atë gjeneratë, e cila kreu solokëndimin, mbetën faktikisht rrugëve, u bënë anëtarë të korit e për një solist të bëhesh anëtar i korit dihet se çka të gjen. Më dhimbset një talent i rrallë si ajo, soprano e mrekullueshme, që nuk arrita edhe unë e edhe publiku ta shohim në skenën e operas.

Flora Durmishi
flora@blueskylive.com