Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e enjte, shtator 22, 2005

FJALA E NËNKOLONEL ZEJNULLAH PROKSHIT , MBAJTUR NË AKADEMINË PËRKUJTIMORE KUSHTUAR HERONJVE TË KOMBIT FEHMI LLADROVCI, XHEVË KRASNIQI –LLADROVCI NË PRISHTINË.

Qëllimi i tyre ishte liria e Kosovës dhe bashkimi kombëtar

Prishtinë,22 shtator.-

Më rastin e 7 vjetorit të rënies së Komandantit të Brigadës 114 Fehmi Lladrovci dhe dëshmorës së kombit Xhevë Krasniqi-Lladrovci,si dhe në shenjë të përkujtimi të 176 dëshmorëve të kësaj Brigade,Zona e Parë e Mbrojtjes organizoj sot Akademi përkujtimore në Teatrin Kombëtar në Prishtinë,ku murrën pjesë luftëtarët e gjallë të UÇK-së,Trupat mbrojtëse të Kosovës,liderë partishë politike si dhe familjarët e dëshmorëve dhe një numër i madh i pjesëmarrësve nga të gjitha trevat shqiptare.

Fjalën hyrëse ne Teatrin Kombëtar të Kosovës e mbajti Komandanti i Brigadës 314 “Fehmi Lladrovci” - Kastriot,nënkoloneli Zejnullah Prokshi,bashkëluftëtarë dhe shok i ngushtë i gjeneralit të ndjerë Fehmi Lladrovci i cili në vend të IN MEMORIAMIT ,të pranishmëve në sallë ,pas intonimnit të Hymnit Kombëtar dhe një minut heshtje për ushtarakët e rënë në log të betejës tha:

Të nderuara familje të dëshmorëve,

Të nderuar ish pjesëtarë të UÇK-së,

Të nderuar eprorë dhe ushtarë të TMK-së,

Të nderuar pjesëmarrës!

Sot, ,jemi mbledhur për të nderuar kujtimin,rrugën heroike dhe përjetësinë e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit,por njëkohësisht edhe veprën e pavdekshme të gjithë atyre djemve dhe vashave të Kosovës që po e japin jetën për atdheun e tyre,që nga dita e parë e rezistencës shqiptare dhe ndoshta edhe tani,ne këto momente.
Fehmi Lladrovci, i lindur dhe i rritur në Shkabaj të Drenicës, në një familje bujare me traditë atdhetare, së bashku me shoqen e jetës dhe përjetësisë, Xhevë Krasnqiin-Lladrovcin, po ashtu edhe kjo e edukuar me ide kombëtare nga babai Abdyli, hynë në Historinë Re Kombëtare, duke materializuar me gjakun e tyre idenë e çlirimit kombëtar si dy bashkëshortë, dy bashkëluftëtarë, dy bashkëdëshmorë që me virtytet e tyre jetësore krahasohen me çiftin po ashtu bashkëluftëtarë -dëshmorë, Azem dhe Shotë Galica.


Fehmiu qysh herët i kishte përcaktuar vetes rrugën jetësore, të cilën rrugë do ta vazhdojë deri në çastin e heroizimit të tij, pa pyetur asnjë herë për çmimin që duhet dhënë LIRISË. Ai me një rast thotë: “Edhe më i merituari i ka borxh atdheut –Kosovës, më shumë sesa atdheu atij.”


Fehmiu ishte njohës i mirë i rrethanave ndërkombëtare, i kishte të qarta interesat e shteteve fqinje dhe të fuqive të mëdha në raport me Kosovën, dhe për këtë qëllim diplomacinë e shihte të pandashme nga rezistenca e armatosur.

Fillimin e luftës në Slloveni dhe Kroaci, ai e shihte si një mundësi për përgatitjen dhe fillimin e luftës edhe të shqiptarët. Për këtë qëllim, me angazhimin e tij, në Kroaci qe formuar edhe një grup i shqiptarëve të armatosur prej rreth 500 ushtarë, të cilët pasi do t’i përgatiste mirë, do t’i kthente në Kosovë për të filluar rezistencën e armatosur.


Pas përfundimit të luftës në Kroaci, Fehmiu për një kohë të gjatë do të qëndrojë në Gjermani, duke mos i ndërprerë lidhjet për asnjë moment me Komandantin legjendar Adem Jasharin dhe luftëtarë të tjerë.

Gjatë kohës sa kishte qëndruar në perëndim Fehmiu u mor me organizimin dhe vetëdijësimin e mërgatës sonë për t’u përgatitur dhe për të filluar luftën çlirimtare.


Pas datës 5 mars, Fehmi Lladrovci vjen nga perëndimi me një grup shokësh në Kosovë për të luftuar në zonat e luftës. Ardhja e tyre ishte një ndihmesë e madhe për luftëtarët e UÇK-së që kishin filluar luftën çlirimtare, sepse Fehmiu, Xheva, Bekimi, e të tjerë, sollën përvojën që kishin fituar gjatë luftës kundër të njëjtit pushtues në Kroaci,përvojë e cila ishte e domosdoshme për luftën e UÇK-së.


Vendosmëria e Fehmiut për të luftuar dëshmohet që në ditët e para të ardhjes së tij dhe i tillë do të mbetet deri në momentin e rënies, duke marrë pjesë në të gjitha betejat çlirimatre.

Në një intervistë dhënë BBC-së, ai do t’i tregojë opinionit botëror se populli shqiptar ishte i vendosur në rrugën e pavarësisë dhe në rrugën e mundimshme për të mposhtur pushtuesin ky popull do të fitojë.Kështu mesazhet e Fehmiut u bënë frymëzim udhërrëfimi për luftëtarët e lirisë, të cilët do t’i shtojnë radhët e UÇK-së.


Fehmiu gëzonte një autoritet të madh si në mesin e çlirimtarëve, po ashtu edhe te popullata, andaj jo rastësisht u ngarkua me detyrën e organizimit, përgatitjes dhe shtrirjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatrat që shtriheshin pranë maleve të Qyqavicës, ku për një kohë të shkurtër Brigada 114 e UÇK-së arrin të bëhet shembull i organizimit ushtarak të ushtrisë sonë, në të cilën brigadë do të mbretërojë morali i lartë çlirimtar deri në përfundim të luftës.

Në mëngjesin e 22 shtator të vitit 1998, njësitë serbosllave, të shoqëruara nga një makineri e tmerrshme dhe tejet vrastare ua mësynë pozicioneve të luftëtarëve që i komandonin Fehmi dhe Xhevë Krasniqi- Lladrovci.

Siç tregojnë bashkëluftëtarët, kapedani i bjeshkëve të Qyqavicës asnjëherë më parë nuk ishte dukur më krenar dhe më i buzëqeshur. Ai së bashku me Xhevën vizitonte luftëtarët në pozicionet, u jepte këshilla për ta përballuar dhe mposhtur rrethimin e bishës pushtuese.

Armiku kishte provuar disa herë më parë forcën dhe guximin e luftëtarëve të Shkabës, dhe kësaj here do të sulmojë nga një hapësirë e gjerë, nga Drenasi, Skënderaji, Vojteshi dhe Vushtrria.

Sulmi ishte tmerrësisht i egër, i stilit barbar, por mbrojtja ishte e zjarrtë në të gjitha pozicionet e çlirimtarëve, sepse në ballë të frontit si çdoherë qëndronte komandant Shkaba që në zemrën e luftëtarëve ishte lartësuar në madhësinë e Qyqavicës dhe se ata e dinin se pa rënien e komandantit nuk ka shteg depërtues të armikut në Qyqavicë.

Edhe në ditën e fundit, në kodrën e Qëndresës ku ishin të pozicionuar Fehmiu dhe Xheva, ata të dy ishin vazhdim dhe plotësim i njëri-tjetrit: kur pushonte Fehmiu së gjuajturi, snajperi zjarrmonte nga duart e Xhevës; kur heroizohet Shkaba, komandon Xheva; kur përjetësohet Kapedani, urdhëron Xheva. “Të gjithë luftëtarët të tërhiqen”,- urdhëri i Shkabës është i prerë. Gjaku i rridhte, por ajo nuk i jepej përjetësisë.

Xhevës në atë çast i kujtohen rrëfimet e të atit kur rrëfente për trimëritë e Azem dhe Shotë Galicës, të cilët luftuan në të njëjtat male kundër të të njëjtit barbar.

Gati ishte e njëjta skenë edhe atëherë: pas Azemit, komandon Shota; shënjestron armikun në lule të ballit dhe me një qëndrim prej komandanti urdhëron: “Xheva Lladrovci ende nuk është koha për të vdekur, zemra kërkon hakmarrje”, vazhdon luftën derisa takon Shkabën në përjetësi.


Rënia e Fehmiut dhe Xhevës kuptohet vetëm si një vazhdimësi e flijimeve heroike për çlirimin e tokave tona të filluara nga Komandanti Legjendar i UÇK-së, Adem Jashari dhe mbarë familja Jashari.


Komandantët Fehmi dhe Xheva Lladrovci luftuan për liri si të gjithë dëshmorët, por nuk arritën ta shijojnë lirinë. Ata na e lanë neve amanet që ta duam atdheun, ta mbrojmë pa kursyer asgjë nga vetja jonë, as edhe jetën. Andaj, sot shumë shkolla,kazerma ushtarake,rrugë etj., është shembulli më i mirë i nderimit të veprës dhe figurës madhore të gjeneral Fehmi Lladrovci, pasi që për çdo shqiptar është obligim moral dhe kombëtar që ndaj dëshmorëve dhe familjeve të tyre të ushqejmë një respekt dhe dashuri përkushtuese, sepse aty i ka rrënjët LIRIA.

Ndërkaq,Brigada 314”fehmi Lladrovci” sot vepron në kastriot.Ka bërë transformime të mëdha në harmoni me kërkesat e kohës.Si gjithnjë ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë aty ku paraqitet nevoja.

Ka bërë mbi 9000 orë punë në ndërtimin dhe meremetimin e shtëpive.Të parët i janë përgjigjur dhënies së gjakut për ata që kanë nevojë.

Duke u trajnuar,ka forcuar pozitën e vet si brigadë për çfarë lirsht mund të themi së është ndër brigadat më të përgatitura për të vepruar në çfarëdo situate.

Kjo brigadë moto ka punën dhe sakrificën,duke vepruar sot mendon edhe për të nesërmen.Ka në planë shumë punë nga lëmi që i takon,dhe vazhdon bashkëpunimin më udhëheqjen komunale të kastriotit, KFOR-in dhe SHPK-në.

Pra,Brigada 314 lirisht mund të mburret si me të kaluarën,ashtu edhe më të tashmën.

Dhe komandantët Fehmi dhe Xhevë Lladrovci,Iljaz Kodra dhe të gjithë dëshmorët tjerë të kësaj brigade mund të prehën të qetë.Ndofta nuk është e tepërt të themi në këtë Akademi përkujtimore se familjeve të tyre u kemi shumë borxh.Zyrtarët komunalë të kastriotit dhe Qeveria e Kosovës duhet të bëjnë më shumë për invalidët e luftës,fëmijët e dëshmorëve,përkatësisht familjet e tyre.

Fehmi dhe Xhevë Krasniqi Lladrovici dhe të gjithë dëshmorët e kësaj brigade s’ do të harrohen kurrë.Nëse kemi arsye të mburremi për dike e diçka:janë këta dëshmorët dhe lavdia u takon vetëm atyre dhe popullit të kosovës.

Dhe kjo lavdi është e përjetshme!

Lavdi dëshmorëve të kombit!

Ishin fjalët e Komandantit ,nënkolonel Zejnullah Prokshi në Akademinë përkujtimore më rastin e 7 vjetorin të rënjës heroike të luftëtarëve të UCK-së.

Më pietet të lartë për heroizmin e luftëtarëve të UCK-së për ZOD-in foli edhe gjeneral lejtnand Agim Ceku,komandant i TMK-së, Musa Jashari ,familjar i familjës së Komandantit lëgjendar Adem Jashati,si dhe lideri i mirënjohur shqiptarë-Mendela i Kosovës z.Adem Demaçi, i cili në mes tjerash tha" Fehmi Lladrovci është shok i imi në kazamatet sllave...Ishte shok i imi edhe gjatë luftës...Ai nuk ka vdekë.Ai rron në zemrat tona në këtë gjysmë liri të Kosovës...Më Kosovën janë duke manipuluar fotelashët, duke koketuar me regjimin neokomunist të Millosheviqëve të rinj...Pa pavarsi të plotë të kosovës nuk do të ketë paqë e asë liri në këtë troll heroik ,se kjo gjysmë liri është e larë më gjak...Dhe pavarsia e Kosovës tash ose kurrë do të vijë...Nese nuk do të arrijmë këtë atëherë nuk ka shpërngulje në Shqipëri,Maqedoni dhe Mal të Zi...Por duhet të qendrojmë këtu tok siq qendroj Fehmiu,Xheva e qindra luftëtarë tjerë,,,"-tha Adem Demaçi.

Flori Bruqi