Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e mërkurë, shtator 14, 2005

A do te zbulohet ndonjehere vrasja e heroit Hajdari?

Përkujtohet shtatëvjetori i vrasjes së liderit të Dhjetorit, Azem Hajdari

Përkujtohet shtatëvjetori i vrasjes së liderit të Dhjetorit, Azem Hajdari
3 korriku, detyrim ndaj tribunit të lirisë
Kryetari i Partisë Demokratike dhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i shoqëruar nga nënkryetari i PD-së, Bamir Topi, bënë homazhe pranë memorialit të Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari. Në këtë ceremoni ishte e pranishme dhe bashkëshortja e Hajdarit, vëllai i heroit, Rasimi, i ardhur nga SHBA-të si dhe bashkëluftëtarë të tij.
Kryeministri Berisha tha me këtë rast se "kemi ardhur këtu për të shprehur nderimin tonë të thellë për veprën e madhe të udhëheqësit legjendar të Lëvizjes Studentore, themeluesit të pluralizmit, studentit liberator Azem Hajdari dhe vëllait në ideale, Besim Çerja. Azemi hyri në jetën politike shqiptare si një yll që kurrë nuk do të shuhej, por që do të shndrisë gjithnjë dhe më shumë. Azemi nuk është sot, sepse e ekzekutoi regjimi me falangat e tij, por prehet i qetë, sepse idealet e tij u përmbushën, fitorja e demokracisë u arrit". Në vlerësimin e Berishës, askush në historinë e këtij kombi nuk ka bërë sa ai për lirinë. Berisha tha më tej se "fitorja e 3 korrikut ishte një detyrim i madh ndaj tribunit të lirisë, prandaj edhe një herë dua të shpreh angazhimin tim për të punuar për ato ideale që Azemi dhe bashkëluftëtarët e tij mbushën rrugët e Tiranës, dhe fituan mbi diktaturën më të egër në Europë". Kryetari i PD-së dhe Kryeministri Berisha i ftoi të pranishmit që të mbanin një minutë heshtje për tribunin e lirisë.
Homazhe në shtëpinë e Azemit
Pas përfundimit të homazheve para memorialit, krerë të lartë të pozitës kanë zhvilluar vizita në shtëpinë e Azem Hajdarit, ku u pritën nga familjarët e tij. I pari që ka nderuar kujtimin e tij në shtëpinë e Hajdarit, ka qenë lideri demokrat dhe Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar edhe nga drejtues të tjerë të lartë të selisë blu, si kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, nënkryetari i PD, Bamir Topi.
Berisha ka kujtuar ngjarjet e shumë viteve më parë kur Azem Hajdari, kreu demokrat Berisha dhe shumë figura të tjera të njohura kishin filluar lëvizjen për të përmbysur regjimin komunist. Personalisht, Berisha vlerësoi gjatë vizitës së tij se Azem Hajdari mbetet vlerë e qytetarisë dhe se aspiratat e tij ishin të ngjashme me ato të të rinjve europianë, për një të ardhme më të mirë.
Kryeministri Berisha tha se një ngushëllim sot është sepse kësaj radhe, është realizuar ëndrra e tij, liria. Siç tha Berisha, "çdo kohë që kalon vetëm sa i bën akoma dhe më të mëdha kontributet e Azemit për liri dhe demokraci. Çdo kohë që kalon, emri i Azem Hajdarit bëhet edhe më i madh në sytë e shqiptarëve", u shpreh ai.
Topi: Azemi, një meteor i lirisë
Në vazhdim, në sallën e koncerteve të Akademisë së Arteve të Bukura u mbajt një përkujtimore për tribunin e lirisë, Azem Hajdari, organizuar nga Grupimi "Dhjetor '90". Veprimtaria ka filluar me himnin kombëtar dhe ka vazhduar me këngën për heroin, të interpretuar nga Esad Ruka. Në vazhdim, nënkryetari i Partisë Demokratike dhe kryetar i Grupit parlamentar i PD-së, Bamir Topi, ka folur për figurën e heroit të demokracisë. Topi tha se "jam i emocionuar të flas në këtë takim përkujtimor për heroin e Dhjetorit, por jam i bindur se koha vetëm sa do ta zmadhojë edhe më tej figurën e Azem Hajdarit". Ai tha se kjo përkujtimore i shërben freskimit të memories së kombit, por edhe se çfarë çmimi të lartë ka paguar PD për të arritur fitoren e saj. Në vazhdim, Topi ka sjellë kujtimet e tij për tribunin e Dhjetorit deri pak orë para se ai të ekzekutohej nga falangat komuniste. Topi tha se "Azemi ishte një meteor i lirisë dhe i tillë do të mbetet gjithmonë".
Në vazhdim, kori "Pax day" nën drejtimin e dirgjentes së njohur Suzana Turku ka interpretuar "Korin e skllevërve" nga Verdi. Bashkëshortja e heroit, Fatmira Hajdari, tha se "Azemi ëndërroi dhe luftoi që PD të vinte në qeverisje, dhe kjo u bë realitet. Tani jam e bindur se shpirti i tij prehet i qetë". Ajo, duke iu drejtuar bashkëluftëtarit më të ngushtë të tribunit të lirisë, Kryeministrit Sali Berisha, tha se çdo ditë duhet mbajtur e pastër ëndrra e lirisë së Azemit, duke luftuar korrupsionin, pasigurinë, krimin e organizuar dhe terrorizmin.
Kryetari i Grupit "Dhjetor '90", Bislim Ahmetaj, bashkëluftëtar i heroit, tha se "shtatë vjet më parë, terroristët politikë vranë Azem Hajdarin dhe Besim Çerjen, por nuk vranë kurrë idealet e tyre". Ai shtoi se 3 korriku ishte ëndrra e mëdha e Azemit, fitorja e demokratëve dhe shoqërisë shqiptare mbi regjimin e bandave dhe korrupsionit.
Veprimtaria e drejtuar me shumë mjeshtëri nga folësja e njohur Shpresa Ukcamaj, është mbyllur me këngën e tenorit të njohur Hysen Koçia, me poezi të poetit Hamit Aliaj kushtuar tribunit të lirisë, Azem Hajdari. Në fund të këngës, Azemi i vogël ka dalë në skenë dhe ka përshëndetur të pranishmit, duke krijuar kështu idenë e ringjalljes dhe ripërtëritjes së lirisë.
M.Buçpapaj