Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, shtator 25, 2005

A do te shfyqizohen vizat Shengen ne Zvicer?

From : Gezim Ajgeraj
Sent : Sunday, September 25, 2005 12:20 PM
To : "Flori Bruqi"
Subject : http://www.sncweb.ch/albanisch/dossier-al/25-shator-2005.htm




Po qe se me 25 shtator 2005 do të


votohet me PO, a do të shfuqizohet

viza-Shengen?



Nëse elektorati zviceran thotë po me 25 shtator, do të hidhet një hap tjetër drejt "heqjes së kontrollit kufitar".

Kush mund të përfitojë nga lëvizja e

lirë e njerëzve?

Më 25 shtator elektorati zviceran do të vendosë mbi çështjen nëse do të zgjerohet lëvizja e lirë edhe mbi 10 vendet e reja anëtare të BE-së ose jo. Nëse referendumi do të përfundojë me PO, lëvizja e lirë e njërëzve, e cila aktualisht përfshin 15 vendet e vjetra anëtare të BE-së, do të zgjerohet në të gjitha 25 vendet anëtare të BE-së.

snc deutsch: ali yilmaz

snc shqip: bislim elshani

Te dyja dhomat e parlamentit zviceran me 17 dhjetor 2004 kanë aprovuar me një shumicë të madhe votash, një çështje me rëndësi historike. Zgjerimin e lëvizjes së lirë mbi 10 vendet e reja anëtare të BE-së Këshilli nacional e ka aprovuar me 142 kundrej 40 votash, ndërsa Dhoma e kantoneve me 40 vota.

Pala kundërshtare, e cila procedoi kundër vendimit parlamentar, shfrytëzoi mundësinë të cilën ia vinte në dispozicion sistemi zviceran, dhe për një kohë të shkurtër tejkaloi kufirin e vendosur prej 50 mijë nënshkrimesh dhe me 75 mijë nënshkrime të mbledhura ia hapi rrugën referendumit. Me të ndodhur kjo, qeveria përcaktoi 25 shtatorin si datën e referendumit.

Në këtë referendum elektorati do të duhet t'u japë përgjigje definitive dy pyetjeve të rëndësishme dhe t'u japë fund diskutimeve publike. E para, zgjerimi i lëvizjes së lirë mbi dhjetë vendet e reja anëtare të BE-së, dhe e dyta, ashpërsimi i kontrollit juridik të lëvizjes së lirë të njerëzve me qëllim që të mos keqpërdoret nga punëdhënësit, duke u ulur pagat dhe duke u përkeqësuar kushtet e punës.

Fakti që opinioni publik nuk është furnizuar me informacione të mjaftueshme do të jetë gjithnjë e më shumë një pikë kritike në Zvicër në ditët që i paraprijnë referendumit. Për këtë shkak ne do t'i shquajmë çështjet që i preokupojnë të gjithë, dhe tani do t'ju ju lëmë vetëm me tekstin tonë.

Cilat janë vendet e reja që do të participojnë në lëvizjen e lirë të njerëzve?

Në rast se me 25 shtator 2005 referendumi përfundon me PO, lëvizja e lirë e njerëzve do të mbulojë edhe këto vende: Letoninë, Estoninë, Republikën çeke, Hungarinë, Poloninë, Sllovakinë, Maltën, Slloveninë dhe Jugun Qipriot. Numri i banorëve të të gjitha këtyre vendeve arrin në gjithësej 75 milionë veta.

Kush do të ketë të drejtën që të marrë një leje qëndrimi në Zvicër?

Lëvizja e lirë përfshin krahas personave të angazhuar në sektorin e shërbimeve, si mjekë, juristë e arkitektë të paguar, gjithashtu dhe zotërues të pavarur të firmave punuese si dhe të gjithë punëmarrësit. Madje edhe persona në gjendje të mirë financiare mund të marrin leje qëndrimi në Zvicër.

A do të jetë i mundur bashkimi familjar?

Po. Përveç personave që mund të banojnë vetëm përkohësisht në Zvicër, të gjithë banorët tjerë të vendeve të reja anëtare të BE-së kanë të drejtën e tërheqjes në Zvicër të bashkëshortit/-tes, nënës, babait, prindërve të bashkëshortëve dhe të fëmijëve. Po qe se lartësia e pagës nuk mundëson administrimin e ekonomisë familjare, ata do të kenë të drejtën e ndihmës sociale.

Kush nga ofruesit e shërbimeve do të mund të themelojë një vend pune në Zvicër?

Gjithkush mund ta provojë. Ndërkaq, aplikuesi do të duhet që pas 6 muajsh të paraqesë këkesën për sigurim social, t'i lajmërojë punëmarrësit dhe ta dëshmojë predispozitën se ka mundësi për të administruar financiarisht ekonominë shtëpiake. Kufizimi i kontigjenteve për ofrues shërbimesh do të vlejë gjer më 2007.

Firmat që zotërojnë leje pune e qëndrimi nëpër vendet e BE-së a do të mund t'i ofrojnë shërbimet e tyre edhe në Zvicër?

Po. Nga 3 muaj në vit ato kanë lejë për të ardhur dhe për të punuar në Zvicër. Ky proces s'ka nevojë për ndonjë leje. Ndërkaq, në sektorë të tillë si ndërtimtaria, siguria dhe kopshtaria, do të ketë kufizime që do të zbatohen gjer më 2011.

A guxojnë të vijnë edhe të papunët në Zvicër?

Në kërkim të një vendi të punës guxojnë të vijnë dhe të papunët në Zvicër. Në tre muajt e parë nuk do të kërkohet paraqitja, pas këtyre tre muajve mund të zgjatet qëndrimi përmes një paraqitjeje edhe për tre muaj të tjerë. Personat që mund ta dëshmojnë kërkimin e një vendi pune, mund ta zgjasin qendrimin e tye gjer në një vit.

Arka e të papunëve dhe e drejta për ndihma sociale

Po qe se personat që kanë ardhur nga vendet e reja anëtare të BE-së, i humbasin vendet e tyre të punës, a mund të tërheqin para nga arka e të papunëve?

Personat me një leje të shkurtër pune dhe qëndrimi që arrin më së shumti një vit, mund të përfitojnë nga arka e të papunëve po të kenë bërë më së paku një vit punë. Veç tjerash, shuma e parave që personat me leje pune dhe qëndrimi pesëvjeçare është dashur ta paguajnë në arkën e të papunëve nëpër vendet e tyre të origjinës, do tu llogaritet në këta 12 muaj. Pas 2011-tës kjo procedurë do të hyjë në fuqi edhe për punonjësit dhe ndenjësit afatshkurtër.

A mund t'u drejtohen edhe ndihmës sociale?

Personat që zotërojnë leje të shkurtër pune e qëndrimi, në rast se e humbasin vendin e tyre të punës, nuk mund t'i drejtohen dot ndihmës sociale. Personat që zotërojnë leje të përhershme qëndrimi, kanë të drejtën e ndihmës sociale, njësoj si zviceranët.

Punonjësve të lirë, ndërkaq, gjithsesi do t'u tërhiqen lejeqëndrimet, po qe se fitimet e tyre nuk mjaftojnë për të administruar ekonominë shtëpiake.

A mund të përfitojnë këta nga AHV dhe të bëhen pensionerë?

Këta mund të përfitojnë nga AHV-ja në të njëjtën masë si edhe zviceranët. Ndërkaq, për lartësinë e pensionit do të vendosë lartësia e kostos së sigurimit.

Përparime hap pas hapi për sa i përket lëvizjes së lirë të njerëzve

Cilat janë kërkesat provizore që do të shtrohen para lëvizjes së lirë të njerëzve?

Gjer në vitin 2011 do t'u jepet përparësi banorëve vendës. Një firmë do të mund të punësojë punonjës nga vendet e reja anëtare të BE-së vetëm po qe se nuk do të ketë në dispozicion zviceranë ose migrantë me lejeqëndrimi në Zvicër.

Gjer më 2011 kantonet kanë mundësi që përpara se të lëshojnë një leje pune, t'i kontrollojnë kushtet e punës nëpër vende pune si dhe raportet e pagave.

Sa është numri i fuqisë punonjëse që do të mund të hyjë në Zvicër?

Numri i fuqisë punëtore nga vendet e BE-së do të përcaktohet me kontigjente gjithnjë në rritje.

Në fazën e parë leje qëndrimi afatgjata do t'u ndahen më së shumti 1.300 shtetasve nga vendet e reja anëtare të BE-së në vit. Më vonë, do t'u ndahen nga 3.000 leje qëndrimi afatgjata në vit. Në rastin e personave me kartë identiteti - L që nuk mund të qëndrojnë më gjatë se sa një vit në Zvicër, fillimisht bëhet fjalë për 12.400 persona në vit, më vonë, ndërkaq, do të jenë kontigjente prej 29.000 personash në vit. Pas vitit 2011 këto kufizime do të pezullohen.

A do të pranohen nën masa të veçanta udhëtarët e ardhur nga Malta dhe Jugu Qipriot?

Duke pasur parasysh numrin e vogël të banorëve të këtyre dy vendeve, shohim se shtetasit e këtyre dy shteteve, krahasuar me vendet tjera anëtare të BE-së, janë më fatlumë. Shtetasit e Maltës dhe të jugut qipriot do të kenë shanse të njëjta në tregun e punës njësoj si vendësit zviceranë dhe migrantët e ngulitur në Zvicër. I vetmi kufizim është kufizimi i kontigjenteve që do të jetë në fuqi gjer më 2007.

Në rast të ndonjë vërshimi të fuqisë punëtore nga jashtë, a do të mundet Zvicra të shtypë pedalin e frenimit?

Po qe se paraqitet një situatë e tillë, kur migrimi i fuqisë punëtore gjer më 2011 do të ngarkojë tregun zviceran të punës, Zvicra ka mundësi që të përcaktojë gjer në vitin 2014 kontigjente të reja të kufizuara të cilat do t'i përfshijnë edhe vendet e vjetra anëtare të BE-së.

Mbrojtja kundër dumpingut të pagave

Çfarë do të synojnë këto kufizime?

Me këto masa është vënë si qëllim për të kundërvepruar ndaj shfrytëzimit të migrantëve të rinj të ardhur si një fuqi e lirë punëtore, pastaj për t'i penguar kushtet e këqia të punës, dhe krahas kësaj edhe për ta ruajtur nivelin e pagave në Zvicër nga një rënie e mundshme.

Këto masa, të cilat lidhen me procedurat e hyra në fuqi me 1 qershor, do të përjetojnë dhe një ashpërsim tjetër, po qe se elektorati me 25 shtator aprovon zgjerimin e lëvizjes së lirë edhe për vendet e reja anëtare të BE-së.

Cilat masa janë parashikuar për të penguar uljen e pagave?

Firmat e huaja që kontraktojnë punë në Zvicër dhe që tërheqin me vete fuqi punëtore, janë të detyruara që t'u paguajnë punonjësve pagat që janë në fuqi në Zvicër. Nga të gjitha firmat e një sektori të vetëm duhet respektuar kontratat e përgjithshme të punës. Po qe se kontratat e tilla mungojnë, do të vendoset mbi kufirin e poshtëm të pagës (pagën më të ulët).

Kush do të ushtrojë kontroll me qëllim që të huajt të punojnë vërtetë sipas dyshemesë zvicerane të pagave?

Një numër prej 150 inspektorësh do të vizitojnë sektorin e ndërtimtarisë dhe të kopshtarisë, ashtu si dhe fabrikat, dhe do t'i kontrollojnë kushtet e punës si dhe nivelin e pagave. Po qe se nuk do të respektohen rregullat, përgjegjësit do të mund t'ia raportojnë gjendjen një komisioni special tripartitësh, në të cilin, krahas sindikatave, janë të përfshirë dhe punëdhënësit si dhe autoritetet përgjegjëse dhe do të kërkojnë ndërmarrjen e masave përkatëse. Në një situatë të tillë një firme mund t'i vihet për barrë ndalesa e përkohshme e ushtrimit të ndonjë punë në Zvicër.

Marrëdhëniet midis Zvicrës dhe BE pas referendumit

Çfarë do të ndodhë në rast se elektorati nuk do të akceptojë zgjerimin e lëvizjes së lirë edhe për vendet e reja anëtare të BE-së?

Po qe se në kutitë e votimit do të bjerë vota JO, kjo gjë do të sjellë në rrezik marrëveshjet bilaterale të Zvicrës me BE-në. Në njërën anë, shikuar nga pikëpamja juridike, do të humbasin fuqinë e tyre tërësisht të gjitha marrëveshjet bilaterale lidhur me lëvizjen e lirë të njerëzve, në anën tjetër, BE-ja do të mund të pezullonte marrëveshjen Shengen-Dublin. Megjithëse akoma nuk është e qartë se si do të reagonte BE-ja në një situatë të tillë, gjithsesi mund të pritet që në rastin e një qëndrimi kaq diskriminues ajo do ta dëshmonte veten në njëfarë mënyre.

Dakord, mirëpo ç'do të bëhet në rast se populli voton me PO?

Atëherë lëvizja e lirë do të zgjerohet edhe për 10 vendet e reja anëtare të BE-së. Njëkohësisht do të hyjnë në fuqi dhe masat që lidhen me mbrojtjen e punëmarrësve. Në vitin 2009 do të jetë e nevojshme që parlamenti zviceran ta akceptojë sërish lëvizjen e lirë të njerëzve. Kundër këtij vendimi do të mund të procedohet përmes një referendumi. Më 2011, ose më së largu gjer më 2014, lëvizja e lirë e njerëzve do të jetë në fuqi në formë të pakufizuar dhe në villimin e saj të plotë.

Ç'do të bëhet në rast se në BE do të pranohen edhe Turqia, Bullgaria dhe Rumania? A do ta kenë edhe shtetasit e këtyre vendeve mundësinë që të përfitojnë nga lëvizja e lirë e njerëzve?

Jo, marrëveshjet lidhur me lëvizjen e lirë të njerëzve nuk do të barten automatikisht në këto vende. Fillimisht kjo gjë duhet aprovuar nga parlamenti. Në rastin e një referendumi, natyrisht që për këtë do të vendosë populli si një instancë e fundit.

Qytetarët jashtë BE-së

Në kohën kur me 5 qershor 2005 referendumi popullor për marrëveshjen e Shengen-Dublinit rezultoi me PO, të gjithë migrantët me banim në Zvicër, që nuk rridhnin nga një vend anëtar i BE-së, menduan se do të hiqej viza-Shengen e BE-së e aplikuar për migrantët, mirëpo kjo procedurë akoma nuk është prekur. Përse?

Referendumi i 5 qershorit 2005 nuk kishte të bënte direkt me migrantët në Zvicër që kishin shtetësinë e një vendi jo-anëtar të BE-së. Fakti që viza-Shengen aplikohet për migrantët në Zvicër varet plotësisht nga kompetencat e BE-së.

Po qe se me 25 shtator do të votohet me PO, a do të shfuqizohet viza-Shengen?

Do të ndërmerren masat e domosdoshme. Ndërkaq, për planifikimin e etapave do të vendosin 25 vendet e BE-së.